Home Koleksion Dime Risteski

Dime Risteski

Dime Risteski lindi në vitin 1971 në Prilep. Ai mori pjesë në luftën e vitit 2001 si pjesë e Ushtrisë së Republikës së Maqedonisë. Ai ishte në karvanin e sulmuar në Karpalak më 8 gusht 2001 dhe u plagos.

Intervista është gjiruar në vitin 2019.


GORAN TALESKI: Prezantohu, të lutem!

DIME RISTESKI: Unë jam Dime Risteski, pjesëmarrës në ngjarjet e Karpallakut dhe atje u plagosa, jam invalid lufte, i katëgorisë së 9-të.

GT: Ç’do të thotë kjo?

DR: Kjo do të thotë se në trup kam copëza metali, nga plagosja që më ndodhi atëherë dhe ato do të qëndrojnë brenda përgjithmonë. Nuk nxirren sepse gjenden në vende kritike, nëpër nerva. Gjegjësisht unë kam 30% dëmtim dhe isha në Spitalin Ushtarak te dy mjekë, të njëjtin mendim ma thanë – se nëse nxirren, mund të ndodhë lëndim gjatë intervenimit dhe të mos më punojnë gishtat më.

GT: Hajde, ngadalë, do t’i kthehemi kësaj. Kur ishe në shërbim ushtarak?

DR: Shërbimin ushtarak e bëra në ’91-’92, në Nish dhe Mitrovicë.

GT: Kjo i bie një nga gjeneratat e fundit të APJ-së, nëse jo edhe e fundit? 

DR: Po, po. U ktheva më 16 prill.

GT: ’92? 

DR: ’92, po.

GT: Ku the se shërbeve, në Nish dhe...? 

DR: Së pari në Nish, pastaj në Mitrovicë të Kosovës. Dhe, as atje nuk ishte aq mirë.

GT: Siç the edhe vetë, je pjesëmarrës në ngjarjet e Karpallakut. Kur të erdhi ftesa për t’u paraqitur në Armatë në vitin 2001?

DR: Kështu, tani, ne faktikisht, shumica ishim vullnetarë.

GT: Domethënë, je paraqitur vullnetarisht

DR: Po.

GT: Kur e bëre këtë

DR: Disa ditë para ndodhive që ishin. Ishim një javë në kazermë, si një mini-trajnim, ta them kështu, për gjuajtje ishim në Lekovë lart. Shkrepëm disa plumba dhe shkuam. Domethënë, nuk ishte ndonjë trajnim, ta themi i rreptë, sa për t’u kujtuar.

GT: Atëherë, të fokusohemi te 8 gushti 2001.

DR: Mundet.

GT: A mund të na e përshkruash atë ditë, duke filluar nga mëngjesi, nga nisja e varganit e tutje?

DR: U nisëm në mëngjes në ora 06:15 nga kazerma. Rrugës kishim dy apo tre ndalime. Së pari u ndalëm në Pletvar, më kujtohet, mbushnim ujë. Ndalimi më i gjatë ishte para Shkupit, mendoj se Kulla quhet vendi ku u ndalëm, i madh…

GT: Mes Velesit dhe Shkupit

DR: Po. Parking i madh, këtu u ndalëm, hëngrëm mëngjes, kështu disi ishte. Mund të ishte edhe gjysmë ore, kështu disi, dhe pastaj vazhduam dhe ndodhi ajo që ndodhi rrugës…

GT: Sa automjete ishit në vargan?

DR: Domethënë, ishim dy autobusë, kamioni në të cilin u vranë kolegët, të them, dhe përpara ishte hermelina, ndërsa në bishtin e varganit ishte furgoni. Një furgon i kuq, civil, me major Rashiqin. Ky furgon, falë urdhërit të Rashiqit, dhe hallall i qoftë për këtë, shumë veta e fajësojnë, gjoja është tërhequr, ka ikur, por sikur të vazhdonte, do të kishte shumë më shumë viktima. Domethënë, ai ka urdhëruar që të kthehen te kazerma në Shkup.

GT: Furgoni

DR: Po. Faktikisht ua shpëtoi jetën atyre njerëzve. Nëse vazhdonin, do të vriteshin.

GT: Sa veta ishin në furgon

DR: Nuk e di saktë, nuk e di. Me rëndësi, me siguri ishin rreth 10 veta, kështu disi. Domethënë, do të kishte…

GT: Domethënë, nuk ishin vetëm vozitësi dhe majori

DR: Po, po, po, kishte edhe të tjerë.

GT: Dime, siç the, pas ndalimit te Kulla, vazhduat, supozoj e kaluat Shkupin dhe vazhduat në autostradën Shkup – Tetovë. Sulmi ishte, siç the, te Karpallaku. T’u kthehemi çasteve kur ndodhi sulmi. Mund të rikujtohesh

DR: Kjo nuk harrohet. Nuk mund të mos rikujtohem. Prapa ishim ulur tre veta, në sediljet e prapme.

GT: Në cilin autobus ishe ti

DR: Unë isha në autobusin te Borçja, vozitësi i ndjerë, ai që vdiq. Regani ishte përpara, ne ishim të dytët. Ishim të ulur unë, Marjani dhe Bllagojçe Slivoski. Askush nuk priste se do të ndodhë kjo, unë personalisht pushkën e kisha nën sedilje. Vetëm Slivoski, por ai para nesh kishte bërë disa turne, 7-8 muaj merrte pjesë atje. Ai e dinte vendin dhe e kishte përgatitur pushkën pa na treguar, për të mos krijuar panik dhe ai hapi zjarr. Unë nuk ia dola. Sapo e mora pushkën nga poshtë, më qëlluan dhe më ra pushka dhe aq ishte dhe aq zgjati, sekonda ishin në pyetje.

GT: Ç’ndodhte...? 

DR: Vetëm kaluam me shpejtësi dhe… nëse ndaleshin vozitësit, kjo do të ishte një katastrofë e madhe. Ishim 118 veta, të gjithë do të vriteshim. Si do dilnim nga autobusi, me rend do të na shfarosnin.

GT: Vozitësit, domethënë, mbaruan një punë të madhe që të shpëtoni?

DR: Po, domethënë, për të gjithë vozitësit po flas, domethënë edhe Regani edhe Borçeja edhe hermelinën që e vozitnin edhe këndej me Rashiqin që ishin, të gjithë e kryen punën e vet.

GT: Ç’ndodhi kur filluan të shtënat, si dukej atmosfera në autobus?

DR: Ne bisedonim, bënim shaka, qeshnim dhe përnjëherë, vetëm filluan të thyhen xhamat. Në çastin e parë madje as që isha i vetëdijshëm ç’po ndodh, kur e shoh, filloi të më rrjedhë gjak. Mendova se është ai pranë meje, se ai është qëlluar. Unë nuk e mora vesh në fillim. Pash gjak në këmishën e tij. “Hej” – thash – “e qëlluan Marjanin”, kur mua m’u shtang dora, “ore” – thash – “unë jam qëlluar”. Së pari mendova se Marjani është qëlluar, në çastin e parë nuk…

GT: Nuk e ndjeve

DR: Nuk e ndjeva. Pastaj, pas disa sekondave, e pash se më ishte shtangur dora dhe mu nxi këtu dhe…

GT: Ku ishe qëlluar saktësisht

DR: Këtu, këtu janë copëzat (tregon parakrahun).

GT: Kjo është te parakrahu, domethënë në dorën e majtë?

DR: Parakrahu, po, po.

GT: Ndërsa, plumbi doli nga dora?

DR: S’ka plumb, copëza janë. Copëza metali.

GT: Prej çkaje janë

DR: Me siguri janë nga minahedhësi, diçka e tillë. Me siguri.

GT: Si kanë arritur deri te ty? 

DR: E, hajde, de.

GT: Pastaj? E ndjeve se të rëndoi dora, ç’ndodhte?

DR: Pastaj, vozitësit vazhduan të vozisin, me goma të shpërthyera dhe, ta theksoj këtë, diku tetë kilometra e 600 metra mendoj se ishte vozitja dhe u ndalëm, morëm pozicionet në rrugë. Vinte një autobus i zbrazët prej atje.

GT: Prej ku

DR: Prej Tetove drejt Shkupit. Ishte një autobus i kaltër, u ngarkuan njerëzit, ndërsa unë, Rubinçoja i ndjerë, i cili u plagos me mua, dhe ai rreshteri Goce, ndaluam një Tojota të OSBE-së. Brenda ishte një grua dhe përkthyesi, me gjasë ishte shqiptar. Mos paragjykoj, por mendoj se ishte shqiptar, sipas theksit, dhe ata na dërguan deri te kazerma në Tetovë, deri te ambulanca, dhe menjëherë na dhanë ndihmën e parë. Ndërsa ditën e ardhshme, më 9-shin, na dërguan në Spitalin e Qytetit – Tetovë, na bënë incizimet e kështu me radhë.

GT: Dime, që të dy u plagosët në autobusin e dytë, Rubinçoja…? 

DR: Rubinçoja ishte në të parin, unë në të dytin.

GT: Ti në të dytin

DR: Po.

GT: Siç the, ndaluat një veturë të OSBE-së, shkuat...? 

DR: Po, Tojota, pik-ap.

GT: Të dy të plagosur, së bashku ishit me Rubinçon, gjatë gjithë kohës…?

DR: Unë, Rubinçoja dhe rreshteri Goce, ai na udhëhiqte, faktikisht.

GT: Domethënë, së pari shkuat në kazermë

DR: Po.

GT: Jo në spital

DR: Jo, së pari në kazermë, ndërsa ditën e dytë na dërguan në spital për incizime.

GT: Ç’ndodhte në kazermë atë ditë

DR: Sapo arritëm, nuk kaluan as disa minuta, nga të gjitha anët filluan të na gjuajnë edhe atje, madje rëndë, fuqishëm. Ne ende pa u kthjellur nga rruga, kjo ishte si mirëseardhje.

GT: Ambulanca ishte në ndonjë objekt, ju zhvendosën kur kishte të shtëna apo jo? 

DR: Ambulanca ishte objekt në vete.

GT: E them për shkak të të shtënave apo sulmit ndaj kazermës, a zhvendoseshit diku, disi…?

DR: Jo, aty qëndronim, ku do të shkoje, ku? S’ke ku shkon. Kudo që të shkosh në rrethin e kazermës je. Tani, nëse ke fatin të të qëllojë – në rregull, nëse jo – prapë në rregull. Kështu…

GT: The se ditën e ardhshme ju kanë dërguar në Spitalin e Qytetit në Tetovë.

DR: Në Spitalin e Qytetit, po.

GT: Si ishte atje? Ç’ndodhte?

DR: Si ishte atje – na dërguan me pizhame, kishte një vozitës dhe një doktor.

GT: Doktori nga kazerma

DR: Po. Ai hyri brenda, te kolegët, ndërsa ne rrinim me pizhame në veturë dhe nëse kisha për diçka frikë – kisha frikë të mos më robërojnë. Sepse e dimë se çka u ndodhte robërve, maltretime e kështu me radhë. Me siguri ju keni disa njohuri, nga kjo kisha më së shumti frikë. Nuk kisha frikë se a do vritem, kisha frikë nga robërimi.

GT: Kishe frikë se në spitalin në Tetovë do të të robërojnë

DR: Epo, kishte gjasa. Kishte gjasa, sepse vozitësi që ishte, që e voziste automjetin e ambulancës na tregoi “Ja, ata të dy janë Uçka”. Njëri i lidhur këtu (tregon brinjët), ai i njeh. Ishte i lindur në Tetovë, ndërsa jetonte në Ohër, por pasi e ka njohur Tetovën, e kanë mobilizuar për vozitës.

GT: Domethënë, frika të ka ardhur nga kjo

DR: Domethënë, më së shumti kisha frikë nga robërimi. Nuk kisha frikë se a do të vritem.

GT: Pas sa kohë u kthye doktori?

DR: Epo, qëndruam ndoshta më shumë se gjysmë ore në veturë. Herë djersë të ftohta, herë të nxehta. Mendon se ç’do të ndodhte nëse ndodh kjo gjë, vetëm të mos ndodhë një gjë e tillë. I falënderoj Zotit.

GT: Kur hytë në spital?

DR: Kur hymë në spital na incizuan së pari dhe doktor Vahid Selmani, e mbaj mend dhe do ta mbaj mend tërë jetën – njeri johuman. “Shko” – tha – “dilni jashtë, rrini në veturë, këtu nuk është e sigurt”. Por, ku është më sigurt? Në spital, në veturë, nuk e di…? Por, këtë e tha në një mënyrë jo të bukur. Dhe, do ta mbaj mend unë këtë.

GT: Nuk u shtritë në spital

DR: Jo, jo. Na rehabilituan, na rregulluan dhe na kthyen prapa dhe unë pastaj duhej të marr injeksione, por i merrja te ne, në kazermë.

GT: Nëse e kuptova mirë edhe nga ana e personelit spitalor ju është thënë se nuk është e sigurt për ju në spitalin e Tetovës

DR: Në spital. Më e sigurt qenka në veturë të qëndrojmë, jashtë me pizhame. Epo, tani, le ta gjykojë çdonjëri ta shohim se ku ka qenë më e sigurt apo ku s’ka qenë.

GT: Përveç se me këtë mjekun që e përmende, kishit komunikim me persona të tjerë mjekësor në spital?

DR: Kishte vetëm shkurt, na incizonin, ai ishte radioestezist, na incizuan dhe…

GT: Radiolog, për incizim

DR: Radiolog, po, dhe na dërgoi të rrimë në veturë. Pastaj na ktheu vozitësi, nuk ndodhi asgjë, kjo është.

GT: Deri kur mbete në kazermën në Tetovë

DR: Deri në fund me njësitin mbeta, u ktheva me të gjithë së bashku, deri në fund. Diku rreth, nuk e di se sa ditë u mblodhën, më shumë se një muaj.

GT: Edhe pse ishe i plagosur

DR: Po.

GT: Në Spitalin Ushtarak në Shkup nuk ju dërguan?

DR: Jo, atëherë nuk ishte e sigurt. Kolegu im, Rubinço, i cili vdiq, vdiq i ri në moshë 34-vjeçare, me gjasë si pasojë e plagosjes, tetë ditë plumbin e mbante në trup. Nuk mundeshin t’ia nxjerrin në Tetovë, i bën tri prerje, nuk e nxorën, pastaj ditën e tetë e dërguan në Shkup dhe atje ia nxorën plumbin.

GT: Gjatë gjithë këtyre ditëve sa ishe në kazermën në Tetovë, ishe në ambulancë apo u ktheve në shërbim?

DR: Jo, isha me njësitin. Isha me njësitin dhe edhe pse kisha arsyetim, më vinte keq t’i shikoj nga gjashtë, nga tetë orë në rojë. Në përgjegjësi timen, ta themi kundër vetvetes, shkoja, disa herë ndodhte që t’i zëvendësoj, nga dy, nga tre, nga katër orë, varësisht, të shkoj në pozicion në hendek. Nuk mundeshin njerëzit, nuk ishin as të fjetur, as të… Sepse, nëse ndodhnin krisma, kush ku gjendet aty mbetet, dhe mund t’i ndodhë 10 orë të jetë në pozicion në hendek dhe sapo të kthehet, përsëri mund të ndodhin të shtëna, dhe kjo është.

GT: Domethënë, ti mbete deri në fund të turnit

DR: Po, mbeta me njësitin.

GT: U ktheve në Prilep, supozoj diku në mes të shtatorit

DR: Kështu disi, po. Data nuk më kujtohet tani saktë.

GT: Si ndjeheshe kur u ktheve

DR: Si ndjehesha? Sikur kam rilindur. Kjo ishte.

GT: Çfarë pasojash të la lufta

DR: Nëse thotë dikush, kushdo qoftë nga ata që morëm pjesë, se nuk ka pasoja – ai gënjen. Është e pamundur të mos ketë pasoja, të merremi vesh. Sepse, nga atëherë 5-6 veta vdiqën.

GT: Nga pjesëmarrësit në Karpallak

DR: Nga pjesëmarrësit. Ka disa në Demir Hisar. Shpeshherë janë nëpër neuropsikiatri. Nuk do të përmend emra, ishim së bashku. E pashë në çarshi – fliste vetë me vete. Flet vetë, dhe njeri inteligjent, e njihja para kësaj dhe kur e pashë, më dolën lot. Kjo është kjo.  

GT: Ti, siç the, 90% invaliditet ke, ashtu

DR: 30% invaliditet kam. Grupi i nëntë. 

GT: Grupi i nëntë

DR: Po. Ja, ta shpjegoj.

GT: Më fal. Kjo është sa i përket pjesës fizike

DR: Po, ndërsa ajo psikologjikja… 

GT: Dhe, psikologjikja

DR: …e bartim ne, me shëndet e paçim. Për tërë jetën.

GT: Çfarë përkrahjeje more gjatë tërë kësaj periudhe nga ana e institucioneve? A more diçka?

DR: Kështu, tani, për hir të së vërtetës, do ta them siç ishte. Mora dëmshpërblim 360.000 denarë. Rreth 6.000 euro, gjegjësisht marka të atëhershme, ende ishin, më duket, si ishte, nuk është me rëndësi. 6.000 euro. Dëmshpërblim invalidor lufte më ndanë, ku ta di, 3-4 mijë në muaj, si shtesë për invalid lufte. Mundej të jetë kjo pak më shumë, mirëpo të tillë e kemi shtetin, kjo është kjo.

GT: Cilat janë pritshmëritë sa i përket përkrahjes, duhet të jetë më e madhe, është e mjaftueshme? Ç’është ajo që të duhet?

DR: E di si, kaloi shiu – ç’të duhet ombrella, erdhi puna. Ne jemi si një grup i margjinalizuar më, të harruar. Kështu unë mendoj. Sepse shumë fëmijëve u nevojitet ndihmë. Ja ta zëmë se  unë ia kam dalë disi, sido qoftë, por ka fëmijë që as nuk janë në punë, asgjë… Dhe, me vetë këtë që nuk janë të angazhuar, edhe më shumë, edhe më të vështirë e kanë. Ndryshe është kur të shkojë në punë, kur të shoqërohet me njerëz, ndryshe është kur mbyllet në shtëpi dhe i sillet filmi.

GT: Supozoj se çdo vit, nëse ke mundësi, më 8 gusht…

DR: Pa përjashtim.

GT: …je pjesë e njerëzve të cilët marrin pjesë në përkujtim

DR: Vetëm një vit isha te ai vendi, në Karpallak, dhe nuk shkoj më, nuk dua.

GT: Pse

DR: Ashtu, më kthehen pamjet dhe… Ndërsa, doemos, me datë shtatë shkojmë në kazermë, me tetëshin jemi në Lenishtë. Doemos. Te manastiri i Shën të Premtes, sepse vetë ngjarja ndodhi në ditën e Shën të Premtes. Ra të mërkurën, ndërsa dita ishte 08.08., dita e Shën të Premtes.

GT: Si e shikon statusin e veteranit sot, nga 2001-shi?

DR: Ju thashë – të harruar. Si, si ajo letra, i fshin duart dhe… (bën gjestin e hedhjes së një cope letre). Për dallim nga vendet fqinje – Serbia, Kroacia, ne jemi shumë larg.

GT: Si duhet të jetë?

DR: Epo, ja, në Kroaci ka madje edhe ministri për mbrojtësit. Nuk është patjetër të ketë ministri, megjithatë duhet të mbahet pak llogari për këta njerëz.

GT: Dime, ç’mendon, ç’ndodhi në vitin 2001?

DR: Ç’ndodhi? Punë e kurdisur. Kurth. Ishim mish gjahu ne, ashtu ishte. Organizim s’kishte fare, komandë s’kishte fare. Ja se ç’ndodhi: një ditë para se të nisemi, natën na i morën thikat nga pushkët. Pse na i morën? Unë sot e kësaj dite e parashtroj këtë pyetje. Këtë ndoshta nuk e keni ditur.

GT: Nuk e kam ditur.

DR: Një ditë para kësaj, a po në çdo pushkë ka thikë, bajonetë. Na i morën. Kjo është njëra nga punët që… Veç kësaj, në autobus, nga dy veta në ulëse. A e di se çfarë pajisjesh bartnim? Domethënë, pajisje komplete ushtarake që është. “Rape” (çantë ushtarake për municion, vër. përk.) nga njëra anë, maska, gjithçka. Ku do të na nxë? Nuk mund të lëviznim. Fat që ndoshta nuk ishin dhe aq të shkathtë, nga ajo ana tjetër, dhe të na bënin… masakër atje, 118 veta, të gjithë të na fshinin.

GT: Kush kishte faj? Kush është përgjegjës, sipas teje?

DR: Kush është përgjegjës? Do të fillojmë nga koka, nga lart, nga kryeministrat, presidentët, teposhtë, në mënyrë kierarkike. Të gjithë e kishin pjesën e vet të fajit.

GT: Për tërë këtë çorganizim dhe…? 

DR: Çorganizim.

GT: The, luftë e kurdisur, gjithashtu?

DR: Kështu ishte, unë mendoj, ishim të paracaktuar për t’u vrarë, të ketë viktima në anën tonë. Unë kështu mendoj. Kjo është.

GT: Kishit edhe një proces gjyqësor...? 

DR: Kishim, po. 

GT: Nuk them për ty në veçanti, por të gjithë të përfshirët që ishit.

DR: Unë, në veçanti, në fakt, mua zyrtarisht më takonte dhe e fitova atë dëmshpërblimin, ndërsa…

GT: Kjo është për shkak të plagosjes?

DR: …kur ishte procesi gjyqësor, isha si dëshmitar. Si pjesëmarrës dhe si dëshmitar. Faktikisht, për t’u ndihmuar njerëzve që ishin me mua.

GT: Njëri nga narratorët e mëparshëm, duke folur për këtë, tha se qëllimi i procesit gjyqësor ka qenë që të përcaktohet përgjegjësia për të gjithë këtë, por, disi, gjithçka ka ndryshuar. Ka ndryshuar dialogu drejt dëmshpërblimit. Ç’ndodhi, mund ta kujtosh?

DR: Kështu, tani, faji është dëshmuar, a po? Se ka pasur faj. Dhe, kush mbajti përgjegjësi? -Askush.

GT: Çfarë ua zë për të madhe të tjerëve?

DR: Cilëve të tjerë, këtyre që i përmenda më parë?

GT: Armikut. Palës tjetër.

DR: E di çka? Kjo le të mbetet… 

GT: Ka diçka që ua zë për të madhe?

DR: Nuk mundesh të mos ua zësh për të madhe, kur e di se dikush të ka gjuajtur, nuk mund të mos ia zësh për të madhe, a po? Ka dashur të të vrasë. Mirëpo, të harrohet. Është fakt se janë këtu, ekzistojnë, a po? E parëndësishme se me çfarë përqindje, doemos do të jetohet së bashku edhe më tej. S’ka tjetër. Kjo është. Por, se ua zë për të madhe, normalisht se do t’ua zë për të madhe. Të të rrahë dikush, a nuk do t’ia zësh për të madhe? Kjo është.

GT: Tuajve çfarë ua zë për të madhe?

DR: E pra, atë që e thashë, që na hodhën në lumë ashtu. Shumë më ndryshe duhej të ishte, për shkak se, ja tani do t’ju tregoj një shembull. Unë shërbeja në APJ. Në Mitrovicë. Kur duhej të hidhen plehrat nga kazerma, me sigurim shkohej deri te deponia. Plehra! Jo më municion dhe ushtri dhe gjithçka, vetëm sa për të thënë. Si mundet, kur ktheheshim të na lëshojnë “Ujq”? Forca speciale, njerëz të stërvitur. Përpara BTR (ALT), në mes të kolonës BTR, prapa BTR. Atëherë mundej, por, pasi shkuan njerëzit?

GT: BTR-të nuk janë hermelina, a po?

DR: Nuk janë hermelina, ato i përdorin “Ujqit”. BTR (ALT) do të thotë “automjet luftarak transportues”. Në Serbi e quajnë BOV, te ne BTR, kështu disi. Me tetë rrota janë, ndërsa hermelinat janë me katër.

GT: Më të vogla, ashtu

DR: Hermelinat janë më të vogla.

GT: Përafërsisht i parashtrova të gjitha pyetjet që i kisha përgatitur, mirëpo në rast se dëshiron diçka të na thuash dhe nuk të kam pyetur, pavarësisht se a është e lidhur ngushtë me përvojën tënde në vitin 2001 apo me luftën në 2001, thuaje, lirisht.

DR: Siç thashë, domethënë, mos u përsërittë. Ndërsa, të harrohet – kjo është shumë e vështirë. Askush nuk do ta harrojë këtë, këto janë trauma të cilat do të na mbeten të gjithëve. Mirëpo jeta duhet të vazhdojë.

GT: Faleminderit!

DR: Faleminderit edhe juve!

Latest