“Duke i mbrojtur interesat edhe njëra edhe pala tjetër, në mes u ndodhën përfaqësuesit e Romëve.”
AKIF KARIMAN: Përshëndetje, unë jam Akifi dhe dini se sot po takohemi për arsye se duhet të inçizojmë një intervistë lidhur me përvojën e juaj për ngjarjeve para vitit 2001, gjatë vazhdimit të saj dhe pas vitit 2001, gjegjësisht si e shihni çfarë u ndryshua pas vitit 2001 dhe si e parafytyroni ardhmërinë? Së pari t‘ju pyes ku jetonit para vitit 2001?
NN: Përshëndetje. Në pyetjen e juaj të parë do të përgjigjem me atë se unë para 2001 jetoja në qendrën e qytetit të Gostivarit.
AK: Ashtu. A mund që të na prezantoheni?
NN: Unë jam NN nga Gostivari.
AK: A punoni?
NN: Jam i papunësuar.
AK: Mirë. Sa jeni të kënaqur nga jeta e juaj dhe nga bashkëjetesa me bashkësitë e tjera para vitit 2001?
NN: Nga jeta e ime, gjegjësisht nga bashkëjetesa me bashkëqytetarët e mi të nacionaliteteve maqedonas, shqiptar dhe turk në qytetin e Gostivarit deri në vitin 2001 mund të lavdërohem, lirisht dhe sinqerisht do të them se kam qenë shumë i pasur. Jo me para, jo me financa, jo në aspektin material por kam qenë i pasur me miq, shokë dhe të njohur nga të gjithë këto grupe nacionale të cilat unë i përmenda nga qyteti i Gostivarit.
AK: A ka pasur ndonjë fare diskriminimi nga ana e bashkësive të tjera?
NN: Deri në vitin 2001, mund të them lirisht, pa marrë parasysh se ku do të shkojnë këto informata të cilat po jua jap, deklaroj se deri në vitin 2001 qyteti i Gostivarit personalisht unë e konsideroja si qytetin më të sigurt në Ballkan, edhe atë për jetesë dhe bashkëjetesë.
AK: Cila është gjuha e juaj amtare?
NN: Gjuha e ime amtare është gjuha maqedonase.
AK: A jeni arsimuar në gjuhën e juaj amtare?
NN: U arsimova në gjuhën maqedonase.
AK: Përderisa ju mësonit a u ballafaquat me do farë problemesh?
NN: Gjatë shkollimit tim edhe në fillore dhe pastaj edhe në të mesmen nuk kam pasur probleme më serioze në suazat e marrëdhënieve ndëretnike.
AK: Ashtu. A prisnit Ju, gjegjësisht a mendonit se mund të ndodhë diçka e tillë siç ndodhi në vitin 2001?
NN: Për fat të keq, ajo që na ndodhi dhe e cila tani i takon të kaluarës së largët, jo edhe aq shumë, por gjithsesi prej atëherë kaluan 11 vite, dhe nuk besoj as unë edhe as ndonjë tjetër se mund ta priste vitin 2001, por gjithsesi ajo ndodhi.
AK: Kur ti e kuptova se lufta po fillon?
NN: Lufta?
AK: Ose le ta quajmë konflikti, pasi që ka mendime të ndara për atë nëse ngjarjet e 2001-it paraqitnin luftë apo konflikt.
NN: Do ta quaj sipas këndvështrimit tim konflikt luftarak ose të ashtuquajtur konflikt për realizimin e interesave personale. Përse e marr guximin ta potencoj si të tillë? Për arsye se unë personalisht në atë vitin 2001, postieri te dera ma solli thirrjen për stërvitje ushtarake e cila kishte të bëjë me vëllain tim më të ri, ajo ishte në emër të vëllait tim më të ri.
AK: Dhe?
NN: Atëherë tani më nëna ime e ndjerë, me të lexuar të thirrjes, më tregoi një zhgënjim të madh për arsye se në atë kohë nuk ishim të punësuar as unë, e as vëllai im më i vogël dhe as ai vëllai i mesëm, as kunata ime dhe as gruaja ime. Të gjithë të papunë kurse thirrje për stërvitje na vinin në mënyrë të pashmangshme. E mora thirrjen dhe e futa në xhep që ta qetësoj mamanë time dhe menjëherë me atë thirrje shkova në zyrat e seksionit ushtarak në Gostivar i cili gjendet në hapësirat e komunës po në të njëjtin qytet.
AK: Dhe çfarë ndodhi?
NN: Atje me vete e mora thirrjen dhe e grisa para gjithë të pranishmëve në zyrë dhe u thashë “Të fshihet emri i vëllait tim më të ri, në vendin e tij në këtë stërvitje në të cilën na ftoni do të pranoj të shkoj unë.” Pa dijeni se shkoj që të bëhem pjesëmarrës – “branitell” (mbrojtës) i sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Maqedonisë. Këtë e bëra pa dijeni se nuk e dija kundra kujt shkoj të luftoj dhe as që më shkonte ndërmend se në Maqedoni përgatitej konflikt ushtarak.
AK: Ashtu pra. Ju në njëfarë mënyre ishit pjesëmarrës aktiv në konflikt?
NN: Pikërisht ashtu. Atë e them pa trysni, dhe e deklaroj vetëdijshëm. Isha pjesëmarrës për fat të keq në grupin e parë të “branitellëve” të atëhershëm. Na thirrën në stërvitje luftarake në Erebinë, …
AK: Dhe?
NN: …rrethi i Tetovës. Nga atje u nisëm në linjën luftarake në fshatin Llavc, rrethi i Tetovës.
AK: Ashtu. A mund të na tregoni çfarë ndodhte në ato vende? Të na rrëfeni disa përshtypje, disa momente?
NN: Për fat të keq çdo fjali timen e filloj me këtë shprehje. Në ato 36 ditë, ato ditë dhe netër, 30 ditë i kaluam të ngulitur në llogore, Nuk mund të veçoj ndonjë përjetim të veçantë përveçse të them se zotëronte njëfarë miqësie në mes “branitellëve” të pranishëm të cilët ishim në atë tog ushtarak. Do ta kisha veçuar si një kujtim timin vetëm një njohje timen e cila mendoj se do të më rri në mend deri në fund të jetës sime edhe atë në kuptim pozitiv.
AK: Miqësia. A kishte në mesin e “branitellëve” përfaqësues të të gjithë bashkësive ose?
NN: Në mesin e “branitellëve” kishte… do t’ju kisha përmendur në numra. Nga 215 anëtarë nga grupi jonë i atëhershëm 53 ishin Romë, të tjerët ishin Maqedonas, në mesin e tyre kishte, nëse më kujtohet mirë, edhe dy të tjerë… një turk dhe një shqiptar.
AK: Ashtu. A mendoni se në palën tjetër, gjegjësisht në anën e UÇK-së kishte përfaqësues nga bashkësitë e tjera përveçse shqiptarëve?
NN: Po. Me siguri ju them se edhe nga pala tjetër gjithashtu kishte numër të madh të pranishëm nga popullata rome.
AK: Dhe si ndjeheshit ju nga ajo? Pra nga e njëjta bashkësi në të dy anët e konfrontuara?
NN: Në lidhje me këtë pyetje do të isha deklaruar në këtë mënyrë. Duke i mbrojtur interesat edhe njëra edhe pala tjetër, në mes u ndodhën përfaqësuesit e Romëve.
AK: Ashtu. A e akuzon dhe fajëson dikë për atë arsye?
NN: Nuk kam dhe nuk ndjej asnjë të drejtë dikë të akuzoj në lidhje me atë. Para së gjithash akuzoj veten për arsye se mora pjesë në këto lojëra të interesave të dikujt.
AK: Ashtu. A mendon se ishte e nevojshme të ndodh kjo që ndodhi?
NN: Nuk ndjehem i autorizuar për t’u përgjigjur në këtë pyetje për arsye se kjo ndodhi dhe askush nuk mund këtë as ta kthejë e as ta fshijë. Ndodhi ajo që ndodhi, edhe njëra palë e fitoi atë që e kërkonte dhe të tjerët i realizuan kërkesat e tyre.
AK: Ashtu. A frikësoheshe në ato periudha?
NN: Për nga natyra nuk jam frikacak dhe nuk kisha thënë se u frikësova.
AK: A komunikonit…
NN: Kisha frikë për familjen time, dhe për miqtë dhe farefisin e sinqertë.
AK: A komunikonit me ata?
NN: Jo. Në atë periudhë përderisa isha atje ku isha, nuk kisha kontakte.
AK: A mos ndoshta ata ishin të frikësuar për ju?
NN: As që i kam pyetur dhe as që kam dashur ta di. Dhe çdoherë për një arsye që të mos ua rikujtoj kujtimet e këqija.
AK: Ashtu. A dinin në përgjithësi për atë se ku gjendeni ju?
NN: Mendoj se askush nga njerëzit e shtëpisë nuk e dinte se ku isha unë. Mendoj për 10 ditët, ndoshta edhe për 20 ditët e para. Që kur ato 10 ditët u kaluan, ndoshta kuptuan se çfarë ndodh dhe se si është puna, për arsye se gjatë atyre 10-15 ditëve të para qysh kur u përgjigja thirrjes, për qëndrim në pozitë për gatishmëri lufte, atëherë mori hov lufta edhe në Tetovë edhe në rrethet e tjera të Maqedonisë.
AK: A keni pasoja nga konflikti?
NN: Shpresoj se më janë fshirë ato pasoja, para së gjithash mendoj nga psikja, kurse në kuptimin fizik dua të them edhe nëse dëshiron edhe nëse nuk dëshiron ato janë prezentë. Për arsye se kurrgjë nuk është tani sikur ishte më parë. Kurrgjë nuk ka mbetur e njëjtë me atë që ishte deri në vitin 2001.
AK: Ashtu. A mendon se e gjithë ajo mundej të ishte më ndryshe? Pra ajo kërkesë e të drejtave?
NN: Ndoshta edhe mundej, ndoshta edhe duhej të ishte, por ja ashtu u bë. Mendoj se që të ndryshohej situata e atëhershme nuk besoj se as Evropa dhe as NATO se do të mundnin të vepronin ndryshe. Kurse për ne Romët do ta marrë të drejtën për të thënë se ne jemi asgjë. Ne ekzistojmë për realizimin e të drejtave të dikujt. Cilën do nga palët që ta zgjidhnim çdoherë do të akuzoheshim edhe nga njëra edhe nga pala tjetër. Ky është mendimi im.
AK: E pra mirë, të kalojmë tani në pjesën e fundit, gjegjësisht për jetën pas vitit 2001.A fituat diçka apo humbët nga konflikti?
NN: Për sa ka të bëjë me pjesën e tretë të anketës suaj, nga pyetja e juaj edhe vetë kisha mundur të shkruaj një libër por jam në dilemë a të filloj apo jo. Se dikush fitoi shumë gënjehet, pra nëse mendon se ka fituar mjete financiare, kompensime në para ose diçka tjetër. Unë do të flas personalisht për mua, humba shumë. E çfarë humba? I humba që të gjithë miqtë shqiptarë të cilët i kisha deri në vitin 2001.
AK: Si…
NN: Humba shumë nga ai aspekt dhe mendoj se është shumë rëndë që t’u kthehemi besimeve të vjetra që kishim njëri për tjetrin.
AK: A e dinin miqtë e tuaj shqiptarë se ti ishe në anën e “branitellëve”?
NN: Edhe sot e kësaj dite ekzistojnë disa miq shqiptarë të cilët i kam pasur më parë dhe disa herë shfrytëzojnë situatën që të më ngacmojnë për faktin se kam qenë “branitell” i Republikës së Maqedonisë.
AK: Dhe si ndjeheshit në raste të tilla?
NN: Këtu nuk do të kisha koment.
AK: Mirë.
NN: Do të ndërlidhem më vonë në këtë pyetje me pikëpamjen time.
AK: Më trego se si e shikon bashkëjetesën tani?
NN: Bashkëjetesa tani fatmirësisht po përmirësohet. Koha e bën të vetën dhe nga pak i shëron plagët te ata njerëz të cilët ishin të sinqertë dhe të ndershëm. Dhe nga pak koha po na kthen në jetën normale.
AK: Ashtu. Çfarë mendon për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit?
NN: Duke u përgjigjur në këtë pyetje do të them shumë punë të vërteta për të gjitha atë se çfarë ndodhi në vitin 2001. Marrëveshja Kornizë e Ohrit është një marrëveshje e bukur sipas mendimit tim për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë. Kurse në kuadër të Romëve mund të tregoj vetëm një shembull të vetëm. Me një grup të bashkëqytetarëve e mi Romë shkuam te kryetari i komunës të Gostivarit që të kërkojmë në emër të bashkësisë rome, gjegjësisht në emër të popullatës së Gostivarit, që të kërkojmë disa punësime. Vetëm me të pranuar nga ana e kryetarit “Urdhëroni mirëdita.” – “Mirëdita.” – “Çfarë problemi paskeni?” – “E pra zotëri kryetar, me marrëveshjen kornize, nëse mundet ndonjë punësim?” A e dini se çfarë na u përgjigj?
AK: Çfarë?
NN: “Marrëveshja kornizë është për ne, për shqiptarët. Kurse ju nëse dëshironi ndonjë marrëveshje tjetër kornizë, i merrni pushkët dhe përpiquni ta fitoni!”
AK: Kjo tingëllon interesante. Dhe si vepruat ju?
NN: E si mundej? U kthyem si… nuk mund të gjej ndonjë shprehje më adekuate. Lëshuam zyrën dhe prej atëherë nga ajo përgjigje apo gjest i kryetarit, Romët e Gostivarit u kthyen realitetit, pasqyrës reale së jetesës…
AK: …jetesës. Si më parë…
NN: …në Republikën e Maqedonisë.
AK: Si e paramendonin më parë ata jetën? Mos kanë pasur ndonjë iluzion?
NN: E pra më parë ndoshta edhe ne ishim të lënë pas dorë por jo aq dhe jo në aq masë të madhe për fat të keq siç jemi të lënë tani. Deri në vitin 2001 por pak edhe më vonë nëse i kthehemi, në Gostivar mund të themi realisht se kishte mjaft Romë të punësuar, duke filluar nga pastrueset, punëtorë, punëtorë metalik, në të gjithë fabrikat që punonin suksesshëm në Gostivar. Për fat të keq pas Marrëveshjes Kornizë ai numër u zvogëlua dhe pasqyra e sotshme reale e cila është e paraqitur me ndoshta dhjetëra të punësuar – edhe atë në linjë partiake – nuk e paraqet pasqyrën e vërtetë të popullatës rome në bashkëjetesën multietnike në… as në Gostivar dhe as në Maqedoni.
AK: D.m.th. nëse të kuptova mirë, do të thuash se jeta e romëve u përkeqësua pas vitit 2001?
NN: Kush si të dojë le të më kuptojë, për mua ajo që ishte para 2001-shit ishte shumë më e mirë se kjo tani.
AK: Ashtu. A ka diçka që të frikëson për jetën e më tutjeshme? Ose ndonjë pritje pozitive për ardhmërinë?
NN: Në lidhje me këtë pyetje, kisha dashtë ta them për në fund. Do të përmend një shembull, është një shembull tragjikomik, me një bashkëqytetarin tim nga popullata rome, se çfarë i ndodhi pas vitit 2001. Shkon bashkëqytetari i im në Kërçovë te miqtë. Në atë kohë në pazarin e Kërçovës dikush dikujt i paska vjedhur diçka. Policia patë dalë në teren, dhe takon Gostivarasin. E marrin në stacion, stacionin policor. Dhe polici kujdestar e mbyllën në zyrë dhe e merr në pyetje.
AK: Dhe?
NN: I bën pyetje “Përse ke ardhur nga Gostivari të vjedhësh në Kërçovë?” Gostivarasi i thotë policit kujdestar në emër, meqë e ka pasur të shkruar në uniformë “Aman mor Dragan, mos ashtu, unë nuk jam as rrugaç dhe as vjedhacak, unë kam qenë dy vite “branitell” në Gostivar, me policët rezervë.”
AK: Dhe?
NN: A e dini se çfarë bëri polici kujdestar që kur i dëgjoi këto fjalë? E hapën derën dhe e thirret kolegun e tij shqiptar në emër, se si e ka pasur emrin as që sot ka rëndësi, “Ec këtu, se ke një “branitell” nga romët.”
AK: Aman, mor…
NN: Që ta marrë në duart e tija. Aq e kanë rrahur sa që Gostivarasi, pra bashkëqytetari im nga ajo ngjarje me muaj të tërë nuk mund të përmirësohej.
AK: Ashtu, a…
NN: Mendoj se me shembullin që e tregova, shihet qartë përse jam aq i zhgënjyer nga ngjarjet që na ndodhën në vitin 2001 e deri më sot e kësaj dite. Të vetmen gjë pozitive që e shikoj, është ajo se pakëz u qetësuan ato pasionet dhe shpresoj se bashkëjetesa në Gostivar do të zhvillohet në përmirësim e sipër.
AK: Ashtu. A ke diçka të tregoni për të cilën unë nuk të pyeta?
NN: E pra, kisha dashur të them edhe diçka. Kisha dashur ta tregoj këtë që vijon: Mos dhashtë zoti të përsëritet viti 2001.
AK: Përse?
NN: Për arsye se nuk kisha dashur asnjë bashkëqytetar i imi të marrë pjesë, gjegjësisht të jetë pjesëmarrës në disa lojëra të pista për realizimin e atyre interesave personale të dikujt, për arsye se nuk kisha dashur që romët të përdoren si derrat afrikanë. Edhe nga njëra palë edhe nga pala tjetër. Sepse unë dua të jetojmë bashkë me shqiptarët, turqit, torbeshët dhe veçanërisht bashkë me qytetarët Maqedonas.
AK: Ashtu. Në rregull, ju falënderohem për kohën e ndarë dhe për përgjigjet e sinqerta dhe ju dëshiroj gjithë më të mirat në të ardhmen.
NN: Edhe ju faleminderit. […] do të kontribuojë për bashkëjetesë më të mirë të Romëve në të ardhmen në mbarë Republikën e Maqedonisë.
AK: Faleminderit.