Home Koleksion Aco Jovanoski

Aco Jovanoski

Aco Jovanoski Reagan (1951-2024) e kaloi jetën e tij të punës si shofer profesionist, kryesisht në kompaninë e transportit Pelagonia nga Prilepi. Ai ishte shoferi i një prej autobusëve në karvanin e ARM-së që u sulmua afër Karpallak-ut më 8 gusht 2001.

Intervista është gjiruar në vitin 2019.


GORAN TALESKI: Prezantohu, të lutem!

ACO JOVANOSKI: Unë jam Aco Jovanoski – Regan, lindur më 21…1951 në Kosel, fshat i Ohrit. Jetoj në Prilep, në rr. “Bellasica” 1/1. Gjithë jetën kam punuar si shofer. Si shofer në “Pellagonija Turist” – Prilep, në vitin 2001 na angazhuan si shoferë të autobusëve për ta bartur ushtrinë në rajonet e krizës. Mëngjesin e 6 gushtit 2001 shkuam në kazermë dhe duhej t’i vozisim në Krivollak, në ushtrime qitjeje. Kishte qitje nga të gjitha llojet e armëve: artilerike, tankiste dhe këmbësore. Më 7 gusht katër autobusë morëm rrugën për Tetovë, dy autobusë për Bërvenicë, dy autobusë ishim në Fidanishte. Tek unë ishte kolonel Rikio – Risto, njeri me zemër të madhe, njeri ekspert, artilerist. E morëm ndërrimin, u kthyem në Fidanishte, kompletuam kolonën, katër autobusë nisemi drejt Prilepit.

GT: Kjo do të thotë se ata që ishin rezervistë për një kohë i kthenit në Prilep?

AJ: Po, ishte ndërrimi, i kthenim për Prilep. Në mbikalimin para Grupçinit shikojmë një kolonë, lëvizje, uniforma të zeza, të armatosur, mirëpo, nuk na kushtuan shumë vëmendje, as që ndodhi diçka, kaluam – u larguam.  Nëpër Shkup dhe Veles, u kthyem në Prilep. Kur arritëm në kazermë, komandant ishte Branko Drakalloski. U takuam me të dhe i treguam për rastin, që i pamë lëvizjet. “Nuk ka problem” – tha, “gjithçka është e sigurt”. Në rregull.

GT: Kjo ndodhë më 7 gusht?

AJ: Më 7. Mbrëmjen e 7 gushtit, pasditen, u kthyem dhe shkuam drejt stacionit të autobusëve. Orar i shkruar, unë dhe kolegu Borçe Bogdanoski, i cili ishte me autobusin e dytë në Karpallak, të shkruar përsëri në ndërrimin e planifikuar – kazerma Tetovë. Në 6 të mëngjesit i morëm, u nisëm, i hipëm dhe këtu ndodhi një grindje mes Drakalloskit dhe rreshterit Goce, i cili nuk dëshironte të shkojë me kamion, si një oficer aktiv, por dëshironte të udhëtojë me autobus.

GT: Kjo ndodh në kazermën në Prilep? Mëngjesin e datës 8?

AJ: Në kazermë, para nisjes. Filluan të grinden me Drakalloskin, shkoj – nuk shkoj, por, u përzie Sasho Kitano, Zoti e bekoftë, duke u thënë: “Hajde, mos u grindni, unë do të shkoj me kamionin, do të bëjmë muhabet me Nanen”. U vendosëm, u nisëm ngadalë, nëpër Pletvar, drejt rrugës Veles – Shkup. Pasi që nuk kishte ujë të mjaftueshëm për pirje, u ndalëm në Pletvar për të mbushur ujë, u ndalëm në Sirkovë, përsëri për ujë, dhe ndalesa e fundit ishte në Kullë, pas pagesës së taksës rrugore në Veles, ku është sot “Rrugët e Maqedonisë – Qendra Dimërore”. Këtu ushtarët, rezervistët, hanin mëngjesin. Darko Velanovski, fëmija nga Ropotova, aty, në vend që të kthehet në autobus, hipi në kamion, për shkak të Markos nga Novosellani dhe Peces nga Bellopole, një gjeneratë, shokë shkolle. Vazhdojmë drejt Shkupit, nëpër Rrugën e Plastikave, na hyn në mes hermelinës dhe autobusit të parë, të cilin e vozisja unë, një BMW me xhama të errëta, deri te udhëkryqi për “Aleksandar Pallas” ishte mes meje dhe hermelinës, edhe pse kishte mundësi ta tejkalojë hermelinën dhe të shkojë, por nuk e bëri atë. Në udhëkryqin për “Aleksandar Pallas” te Zajaçki Ridi, ne vazhduam drejt Gjorçes dhe Tetovës. Kur erdhëm te vendi kritik…

GT: Si dukej vargani?

AJ: Vargani: një hermelinë, dy autobusë, një kamion dhe një furgon. Edhe furgoni pjesë (e varganit) ishte… Në hermelinë nuk kishte fare… kishte pesë veta, vozitësi i hermelinës, oficeri i policisë rrugore dhe tre policë – rezervistë, të cilët udhëhiqnin varganin. Por, ishin të armatosur me dy revole dhe tri pushkë, s’kishte armë luftarake në hermelinë. Kur arritëm në vendin kritik, zola e parë të cilën e goditën mes meje dhe hermelinës, u dëgjua shpërthimi nga ana e djathtë dhe vazhduam të vozisim. E dyta ishte RPG (raketahedhëse dore), e cila e goditi hermelinën në gomën e majtë të prapme…

GT: Kjo ndodhë në Karpallak?

AJ: Në Karpallak, vendi te Karpallaku, ku veçmë fillon veprimi.

GT: Si duket vendi? Mundet një përshkrim të shkurtër?

AJ: Një grykë mali ku kalon vetëm autostrada dhe një lumë i vogël. Prerje mali, si t’i quaj? Nga ana e majtë filluan të na gjuajnë dhe nga ana e djathtë, kur erdhëm te shpellat. Fatmirësisht, asnjë plumb nuk zuri dikë në autobus, përveç Rubinço Petreskit – Gomarit, kur filloi (nuk mund të kuptohet), bërtitën se kemi një të plagosur në shpinë. Kur filluan të shtënat, ushtarët u shtrinë në korridorin mes sediljeve dhe, fatmirësisht, vinin nga lartë dhe kalonin në të zbrazët. U plagos në shpinë Rubinço Petreski – Gomari. Vazhduam të vozisim deri te vendi ku u bllokua autobusi, e humbi ajrin, filloi të ziejë uji, kurse kjo distancë është diku 8 kilometra e 600 metra.

GT: Nga çasti i sulmit deri kur u ndalët?

AJ: Nga çasti i sulmit, vendi ku ne e kishim patjetër të ndalemi, sepse nuk mund të lëviznim më. Zbritën ushtarët, zunë pozicionet mbi autobus, në lartësi. Ishin të armatosur, kishin municion, kështu që, mund të them, asgjë s’mund t’u ikte. Kur konstatuam se nuk mund të lëvizim më, ftohësi ishte i shpuar, gomat e shkoqura, goma e përparme e majtë ishte shkoqur, sistemi i ajrit gjithashtu ishte i dëmtuar, autobusi këtu na u bllokua dhe nuk kishte më shanse për të zëvendësuar as gomën, e as të ndizej motori, sepse tashmë ishte i bllokuar.

GT: Çfarë ndodhi në autobus kur filloi sulmi? Kishit një të plagosur…

AJ: Kur filloi sulmi, u krijua një panik. U krijua paniku, bërtitnin: “gjak, i plagosur, vazhdo, mos vazhdo, ndalu…”, çfarë mund të presësh nga 50 gojë… Kur e kaluam atë pjesë të rrugës, ja, pas gjithë atyre plumbave të shkrepur, Zoti e ndjeftë Rikin, i cili ma tregoi këtë pas kësaj, tha: “Regan, në adresë tënde plumba të panumërt pa emër e mbiemër kanë qenë”. Më ruajti Zoti edhe mua edhe të gjithë të tjerët, që në autobus nuk u vra asnjeri.

GT: Sa ishit gjithsej në gjithë varganin?

AJ: Në gjithë varganin ishim diku 118 veta, 10 u vranë, mbetën 108. Pas kësaj, Karpallaku e bëri të vetën, sindroma e Karpallakut dhe ajo që themi se edhe sot e kësaj dite Karpallaku vazhdon të vrasë.

GT: Sa ishin në autobusin tënd, 54?

AJ: 55 veta u nisëm, rrugës njëri zbriti, hyri në kamionin e Darko Veljanovskit, djali nga Ropotova, mbetëm 54 veta me mua.

GT: Çfarë ndodhi me autobusin e dytë?

AJ: Autobusi i dytë vinte pas meje. Edhe mbi të pati shumë të shtëna, por shumë më pak, për shkak se, siç duket, goditja e parë ishte mbi mua, për ta ndaluar varganin. Por, ja që ia dolëm t’u ikim. E pritën kamionin të cilin e ndaluan. Prapa kamionit ishte furgoni me Borçe Kragueskin, vozitës nga Lazhani, pronar i këtij furgoni, në të cilin gjendeshin major Rashiqi dhe Mile Sigurimsi (Bezbednjako). Ata, pasi që është i vogël, e kthyen furgonin dhe ikën prapa për në Shkup. Kur e ndaluan kamionin, do t’jua shpjegoj atë të cilën na e përshkroi gjykatësi hetues, i cili ishte në vendngjarje, i cili më 13…

GT: Gusht?

AJ: Më 13 gusht na thirrën në Shkup, si dëshmitarë të parë, për të dhënë deklaratë me kolegun tim Borçe Bogdanoski, ai na bëri rikonstruksionin e rastit, me atë që, do t’i citoj fjalët e tij: “Së pari u vra vozitësi i kamionit, kamioni u ndalua. Me breshëri u vranë Sashe Kitano dhe Nane. Të mbeturit në kabinë, prapa, këta shtatë ushtarët që kanë qenë, ashtu siç janë hedhur, ashtu janë vrarë në një rreth prej 20 metrave në autostradë. Pas kësaj, kamioni u qëllua me zolë, u dogj dhe u hodh në ajër nga mjetet shpërthyese të cilat kanë qenë brenda tij. Branko Sekullovski, vozitësi i kamionit, kishte mbetur në sedilje dhe ishte djegur i tëri, Sashe Kitano dhe Nane Naumoski ishin rrëzuar pranë rrotës së djathtë, të dalë nga kabina, aty janë vrarë, ndërsa këta fëmijët tjerë ashtu si janë hedhur jashtë kamionit, ashtu janë vrarë”. Pas kësaj, gjoja se të gjithë janë qëlluar në kokë. Kur arritëm në kazermë…

GT: Në Tetovë?

AJ: Në Tetovë, në fakt në vendin ku e lashë autobusin, erdhën të na marrin dy autobusë, njëri ishte nga “Jugotransi” i Strugës, që duhej të shkoj në servis, ishte i zbrazët, i thamë të na dërgojë në kazermë dhe ai pa fjalë e bëri këtë dhe arriti një autobus i NPT, i cili i bartte “Ujqërit” në kazermën e Tetovës. Na hipën dhe na dërguan në kazermën në Tetovë. Atje u vendosëm, ne mbetëm me kolegun Borçe në shtabin e tankistëve, ndërsa të tjerët i vendosën nëpër njësi, të ndarë ashtu siç ka qenë rendi. Natën e kaluam në kazermën e Tetovës, ku kishte sulm me minahedhës – granata, por, fatmirësisht, asnjë nuk ra mbi kulmin ku ishim të strehuar. Në mëngjes, me majorin Rashiq dhe me Mile Sigurimsin u nisëm drejt Shkupit, kur ata u nisën t’i marrin kufomat nga Buteli, u kthyem në Shkup dhe nga Shkupi u kthyem me autobus, me një autobus tonin në Prilep.

GT: Me çfarë date u ktheve në Prilep?

AJ: U kthyem më 9-shin. Më 8-shin ndodhi kjo, më 9-shin…

GT: Çfarë ndodhi me autobusin?

AJ: Autobusin e kishin ndezur, ishte djegur i tëri. Këtë ma tha Bosheski, gjenerali Josip, ai më tregoi se autobusi është duke u djegur. Kur i lajmërova drejtorit në Prilep se digjet autobusi, ai më tha se është duke u djegur edhe Prilepi. U krijua një… si të them, një disponim i zymtë, nuk e dinim ç’është duke ndodhur, si është duke ndodhur. Kur u kthyem ditën e ardhshme në Prilep, ishte një pamje e shëmtuar, xhamia e djegur, dyqane të djegura, në vetë stacionin e autobusëve kishte një dyqan për fara, edhe ai i djegur…

GT: Ishin objekte të myslimanëve?

AJ: Ishin objekte myslimane. Eh, kaluan 18 vjet që atëherë, një amanet timin kam në shpirt çdo vit në ora 09:30, në kohën kur u vranë, shkoj në atë vend në Karpallak, në mënyrë të organizuar, me tetovarë dhe me Famullinë e Tetovës mbajmë një meshë përkujtimore (panihidë). Nuk lejojmë që ajo ditë të mos shënohet, nuk lejojmë që kjo ngjarje të harrohet.

GT: Çfarë pasojash të la ty ngjarja e 8 gushtit të vitit 2001?

AJ: Kuptohet se la pasoja, traumat mbeten… Pas kësaj, disa vite më pas, Zoti e bekoftë, Peshkopi Kiril, çdo vit vinte në këtë vend dhe mbante panihidë. Pasi vdiq, Famullia e Tetovës i mban këto panihida. Mund të them se viti 2009 ishte i fundit kur erdhi Peshkopi Kiril në Karpallak, familjeve të të vrarëve u dhuroi ikona, Shën Marinë me Krishtin, mes tyre, nga të mbijetuarit, më dha vetëm mua. Ja ku është ajo ikonë (tregon drejt ikonës).

Mileva Jovanovska: Edhe lule.

AJ: Ma afro këtu, të mund ta kapë kamera.

MJ: E, hajde! Unë të çohem?

AJ: Jo, atë.

MJ: Regjistro pak (drejt kameramanit) apo do ta mbash (drejt Acos)?

AJ: (Mileva ia afron ikonën). Kjo është ajo ikonë, prapa me përkushtim nga zoti Kiril. Dhe…

MJ: Hajde, ktheje nga prapa.

AJ: Lirisht mund të them… kujtim të çmuar e kam.

GT: A je në kontakt me të mbijetuarit e tjerë të Karpallakut?

AJ: Me të mbijetuarit të gjithë jemi në kontakt, çdo vit takohemi më 7 gusht te kazerma “Mirçe Acev”, ku vëmë lule te përmendorja e parë. Dhe, gjithashtu, më 7-shin, e kemi amanet, takohemi te manastiri Sveta Petka (Shën e Premtja), të cilën e kemi marrë si mbrojtëse, sepse ngjarja ndodhi në ditën e Shën Premtes.

GT: Çfarë përkrahje, a ju ka dhënë ndonjë përkrahje shteti juve të mbijetuarve?

AJ: Të mbijetuarve shteti shumë pak ua ktheu, shumë premtonin dhe askush s’bëri gjë. Gjoja shëndetësi, shkollë, e të gjitha këto – asgjë. Dhe, kemi njerëz, lirisht mund të them, të cilët shërohen në spitale shtetërore psikiatrike, siç është Demir Hisari. Ka njerëz të cilët tërë këtë e përjetuan me shumë trauma, iu shkatërruan lidhjet bashkëshortore, iu dorëzuan alkoolit dhe… Kështu që, derisa ishte Marjan Risteski kryetar komune, megjithatë nga pak përkujdesej për ata njerëz, por, tani s’ka kush kujdeset, janë lënë në mëshirën e fatit.

GT: Ndihmë tjetër, në kuptimin e përkrahjes psikologjike apo diçka nuk ka pasur apo ka pasur?

AJ: S’ka, s’ka. Çka mundej shteti, në atë kohë, për familjet e të rënëve, dha çfarë dha, edhe pse besoj se edhe ata nuk janë të kënaqur, ndërsa për ne më së paku vlen se kanë bërë diçka. Disa po, ndihmuan, me punësimin e fëmijëve, të atyre vetë, në një numër më të vogël, por, vërtet të gjithë të kënaqur nuk janë. Për të bërë shteti… ne ishim dhe kërkuam ta fitojmë modelin kroat të mbrojtësve të cilin ua dhanë kroatëve. E premtonin, disa herë ishim nëpër takime, dhe lirisht mund të them se në takimin e fundit, ka 6-7 vjet nga atëherë, ishte në Shtëpinë e Armatës në Shkup, ku u takuam në prani të shërbimit juridik, të armatës dhe policisë, meqë të dyja ishin mbrojtës, bëhej fjalë për të drejtat e mbrojtësve, të koordinohen dhe herën e ardhshme të miratohet vendimi se si të veprohet, por herën e ardhshme askush më nuk na thirri. Dhe, sot e kësaj dite ka mbetur që të takohen, të merren vesh, ndërsa pas kësaj nuk u bë gjë. Kjo është.

GT: A u zë për të madhe diçka të tjerëve, sot?

AJ: Çfarë do që t’ua zësh për të madhe mendoj se është pa efekt, sepse ja tani do të them për vetveten lirisht, e punësuan vajzën time dhe jam mirënjohës, për shembull. E punësuan në DAP. Ndërsa, sa u përket të tjerëve, nuk e di, kush, kur, çdonjëri ndoshta duhet të tregojë se sa është i kënaqur për vetveten. Është shumë keq të flasësh për dikë tjetër…

GT: Kur të pyes për të tjerët, të pyes në kuptimin e armikut në vitin 2001. Nga pikëpamja e sotme, a…

AJ: Armiku në vitin 2001, ata janë… Nga pikëpamja e sotme ekziston një vandalizëm i madh, sepse nëntë apo dhjetë herë e kanë shkatërruar pllakën në Karpallak. Ç’do të thotë kjo?

GT: Pllakën përkujtimore, pllakën në vetë vendin e ngjarjes?

AJ: Pllakën në vetë vendin e ngjarjes. Është shkatërruar nëntë apo dhjetë herë. Për herë të fundit që u shkatërrua është tani, kur Stojançe Angellovi u shpreh publikisht në (emisionin) “Vetëm e vërteta” se sulmi në Karpallak dhe vrasja e rezervistëve prilepas ka qenë legjitime, sepse kanë qenë në uniforma. Për këtë kisha një vërejtje të madhe dhe këtë herë nuk më lejuan, sepse kisha ndërmend të bëj skandal kur erdhi sivjet edhe në kazermën “Mirçe Acev” edhe në Karpallak, pasi që kur e arsyeton këtë rast, ç’kërkon ta vizitojë atë vend? Ai e arsyeton, i arsyetoi ata. Publikisht i arsyetoi në televizion në emisionin “Vetëm e vërteta”, gjë të cilën e dëgjuam dhe u tmerruam nga deklarata e tij. Askush nga ne nuk mund ta komentojë, ta themi këtë, por, ishte e pashembullt në televizion ta përmendësh pikërisht Karpallakun. Karpallakun nuk guxojmë ta harrojmë, nuk guxojmë ta harrojmë 10 gushtin në Stanet e Lubotenit, nuk guxojmë, për shembull, ta harrojmë 28 prillin në Vicë, nuk guxojmë ta harrojmë motelin “Brioni”, kur dy rojtarë të lidhur për kolona u hodhën në ajër me dinamit, u vranë. Do të thotë, këtë mund ta bëjë vetëm një fanatik. Njeri i zgjuar, i shëndoshë, me mendime të shëndosha nuk do ta bënte një gjë të tillë. Janë fjalë të rënda, por të vërteta. Dhe, lufta ime, përderisa të jem gjallë, amaneti që ia kam dhënë vetes, deri më tani, çdo 8 gusht, në orën 09:30, në kohën kur u vranë, unë jam në atë vend. Nuk e kam kapërcyer asnjëherë, as që kam ndërmend ta kapërcej, derisa të kem shëndetin dhe derisa të mundem të shkoj atje. Dhe, do të shkoj.

GT: Aco, çfarë ua zë për të madhe tuajve, në lidhje me luftën tani?

AJ: Dy fjalë do t’i them për të mitë. Më shumë t’u kushtojnë vëmendje atyre që dolën në mbrojtje të atdheut, të cilin e mbronin, ndërsa sot e shesin. Këtë nuk mund ta kapërdij.  A do të rrotullohen në varr ata njerëz të cilët e dhanë jetën në vitin 2001 për këtë Maqedoni që kemi? Mund të flasim për ilindenasit, mund të flasim për partizanët, mund të flasim për mbrojtësit. Ata janë njerëzit të cilët e mbronin këtë shtet dhe e mbrojtën dhe do ta mbrojnë.

GT: Si më tej… duke pasur parasysh këtë përvojë?

AJ: Më tej, ne si qytetarë derisa nuk organizohemi të jemi dhe të mendojmë si një, nga ky shtet nuk do të dalë gjë. Unë në një rast, kur filloi rrënimi i këtij shteti, kisha edhe video-klip, por e kam në telefon tjetër, thashë… së pari ishte në emisionin “Brumbulli” (“Bumbar”), publikisht pyeta se a janë dhjetë deputetët shqiptarë më të fuqishëm se njëqind deputetët maqedonas? Doli se janë shumë më të fuqishëm. Erdhën ata të na e zgjedhin kryeministrin, të na zgjedhin spikerin, të na zgjedhin presidentin. Dhe, le të vijë dikush dhe le të më bindë se nuk është kështu. Ndërsa, për të gjitha ato që luftuam, për gjithë atë që bëhej 2001-shin dhe ‘41-shin, edhe pas Ilindenit dhe të gjithë ata, të gjithë kanë luftuar për këtë Maqedoni. Çfarë i mungonte jetës që e kishim, jetës së përbashkët në Maqedoni? Çfarë i mungon? Ja, të fundit që e pamë, “nuk ka pasur vandalizëm në teatër”. Ato thirrje të pashembullta për Maqedoninë, se nuk kemi shtet, për këtë Maqedoni se është Shqipëri, ç’është kjo? Vandalizëm është, apo…?

GT: Vetëm shkurtimisht t’i kthehemi qytetit tonë. A mendon se në ndonjëfarë mënyre duhet që, mendoj si qyteti ynë duhet të sillet me atë që ndodhi? Edhe vetë the ngjarjet e pakëndshme këtu në qytet, për shkak të të cilave kishim edhe orë policore, prishja e xhamisë dhe objekteve të tjera… çfarë duhet të bëjë qyteti, ndoshta mund të japësh një këshillë?

AJ: Mendimi im i vetëm është se ajo xhami është një objekt fetar, ajo xhami historike është e shekullit XIV, të konservohet dhe të mbetet një përmendore e kulturës për Maqedoninë. Për Prilepin, për Maqedoninë. Unë, thjesht këtë e mendoj. Sado që të mos ndodhë kështu, por duhet të konservohet dhe të mbetet një përmendore e kulturës.

GT: Të faleminderit! A ka diçka që nuk të pyeta e që do të kishe dashur ta shtosh?

AJ: Do të shtoja se kushdo, nga cilado parti që do të vijë në pushtet – do të flas për Prilepin, do të flas edhe për Maqedoninë – duhet t’u kushtojë më shumë vëmendje mbrojtësve sesa ‘41-shit. Ilindenasit dhe ‘41-shi tanimë kanë marrë fund, të ‘41-shit janë nga fundi, ndërsa mbrojtësit e 2001-shit janë pasardhësit e ilindenasve dhe partizanëve. Edhe ata edhe të dytët edhe të tretët kanë qenë për këtë shtet, edhe ata edhe të dytët edhe të tretët kanë qenë mbrojtës të Maqedonisë, ia kanë dalë ta mbrojnë. Mos e shesim tani për pak para, siç thuhet.

GT: Unë të falënderoj për këtë intervistë…

AJ: Dhe, në fund, çdonjëri që do t’i dëgjojë këto fjalë, çdonjëri që do të mund ta shikojë këtë intervistë, asgjë nuk është e tepruar, e gjitha është e vërtetë dhe me respekt të madh, me angazhim më të madh të atyre njerëzve të cilët ishin në vitin 2001, të ndihmohet, të gjithë këta njerëz kanë mangësitë e veta, të gjithë këta njerëz kanë traumat e veta – kurse të gjitha këto do të shkonin nëpërmjet shëndetësisë, punës dhe sociales – t’u ndihmohet këtyre njerëzve. Ka njerëz të cilët, mund të them, nuk kanë as për bukë. Nuk është mirë, mund t’i them edhe emrat dhe mbiemrat e këtyre njerëzve të cilët janë nëpër spitale shtetërore, psikiatrike, të cilët vërtet nuk kanë fare të ardhura, ose jetojnë me një ndihmë të vogël sociale, ndërsa në 2001-shin kanë qenë mburoja e atdheut. Shteti, mendoj, nuk guxon ta lejojë këtë. Mund të gjenden para për gjithçka. Dhe, nuk janë shumë, 16.000 mbrojtës ishin diku 2001-shin, ndërsa vetëm Prilepi ka dhënë 5.000, që do të thotë se Prilepi është qyteti më luftarak, vërtet e mban epitetin e qytetit hero, qytetit të mosnënshtrimit, qytetit të ilindenasve, komitëve, qytetit të partizanëve, qytetit të mbrojtësve. Ç’të them më shumë?

GT: Faleminderit që ndave kohë për mua.

AJ: Në çdo kohë, kur bëhet fjalë për 2001-shin dhe pas tij.

Latest